Detyrat profesionale të mëuesit të gjuhës amtare të emigrantëve

Detyrat profesionale të mësuesit të gjuhës amtare janë të shumëllojshme. Mësimi i gjuhës është natyrisht detyra parësore. Gjithashtu, në orët e mësimit të gjuhës amtare shtohet e pasurohet edhe fjalori i koncepteve, përkrahet mendimi logjik i nxënësit dhe zhvillohen aftësitë e tij menduese. Krahas mësimit të gjuhës përkatëse, detyrë e mësuesit të gjuhës amtare është edhe integrimi i nxënësit.

Ndihmës-mësuesi

Mësuesi i gjuhës amtare punon edhe si ndihmës-mësues; ai jep mësim mbi lëndët e tjera në gjuhën amtare. Si nxënësit që kanë vështirësi në mësim, ashtu edhe nxënësit që kanë patur ecuri të mirë në mësim në vendet e tyre kanë nevojë për ndihmën e mësuesit të gjuhës amtare. Pikëpamjet dhe ndihma e mësuesit të gjuhës amtare kërkohet edhe në rastet kur vlerësohet nevoja e nxënësit për ndihmë ose mësim të veçantë ose në raste kur nxënësi ka nevojë për ndihmë.

Mbështetës dhe përçues i kulturës

Mësuesi i gjuhës amtare është përfaqësues i kulturës së vet para nxënësit në shkollë; ndonjëherë ai mund të jetë i vetmi kontakt që ka nxënësi me kulturën e vet, përveç prindërve. Mësuesi i gjuhës amtare jep mësim mbi kulturën e vet, i përcjell nxënësit karakteristika të veçanta të kulturës së vet, principe, vlera, etj. Gjithçka bën mësuesi influencon në mendimin e nxënësit për kulturën e vet.

Shembull dhe rol shembullor

Mësuesi i gjuhës amtare është shembull për nxënësit dhe për të tjerë që i përkasin së njëjtës kulturë: hyrja e mësuesit në jetën e punës finlandeze tregon mundësinë që kanë emigrantët për të arritur një pozicion të barabartë me të tjerët në shoqërinë finlandeze.

Përkthyes

Në shkollë në takimet me prindër është mirë të rezervohet gjithmonë përkthyesi; këto lloj takimesh përfshijnë, për shembull: njohja e nxënësit të ri dhe prindërve me shkollën, hartimi i planit të integrimit ose planit mësimor, etj. Megjithatë edhe mësuesi i gjuhës amtare mund të shërbejë si përkthyes, në rast se prindërit vijnë papritur në shkollë dhe përkthyesi nuk është rezervuar.

Në rast se nuk ka gjuhë të përbashkët dhe duhet njoftuar familja, atëhere kjo ndodh shpeshherë me anë të mësuesit të gjuhës amtare. Lajmet nga shkolla dhe kontaktet e tjera me shkrim bëhen shpesh me anë të mësuesit të gjuhës amtare. Ndonjëherë është e nevojshme të përkthehen lajme mbi shkollën që janë shkruar për familjet finlandeze e ndoshta nevojitet edhe spjegimi i tyre i detajuar në gjuhën amtare për familjet emigrante.

Mësuesi i gjuhës amtare merr pjesë sipas mundësive të tij në takimet me prindër dhe në aktivitete të tjera të shkollës dhe gjatë këtyre aktiviteteve shërben shpesh si përkthyes. Mësuesi i gjuhës amtare mund të jetë i dobishëm për nxënësit jo vetëm në mësim; mësuesi mbase mund të përkthejë detyrat e provimit të nxënësve ose sipas nevojës të shërbejë si përkthyes gjatë provimit.

Përkthyes i kulturës

Mësuesi i gjuhës amtare shërben si përkthyes kulture, veçanërisht në bashkëpunimin midis shkollës dhe shtëpisë. Ai mund t’u sqarojë prindërve qëllimin e masave të shkollës ose mënyrën e të menduarit të mësuesve (ose përgjithësisht mënyrën finlandeze të të menduarit).  Gjithashtu, mësuesi i përcjell njohuri shkollës dhe mësuesve duke i sqaruar mbi çështje të kulturës së vet.